Qyteti bregdetar i Sarandës po bëhet gati për sezonin veror duke parashikuar ulje të çmimeve në masën 20% për të ndihmuar kështu turizmin e goditur rëndë nga pandemia Covid-19. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë Sarandë, Adrian Gurma, përmes emisionit “Vizioni i Pasdites” ku zbuloi gjithashtu rekomandimet që bashkia e qytetit bregdetar i ka dërguar qeverisë në përshtatje të rregullave të reja.
“Realisht ka pasur mjaft anulime, por me shpresën që situata do të kalojë. Të gjithë operatorët janë të përgatitur. Hapi i parë është lëvizja brenda vendit dhe më pas fluksi dhe destinacioni do të jetë Saranda. E them këtë jo nga ajo që kemi parë, por nga operatorët turistik ofrohet një paket 20% më lire, nga vitet e tjera.Ne jemi aksesuar me protokollin e ri të masave dhe jemi në fazën e implementimit të këtij protokolli. Në bashkinë e Sarandës kushtet janë më specifike, se dhe vija kufitare është më e reduktuar. Saranda e ka të copëzuar vijën kufitare. Kemi çuar që harta të zgjerohet me plazhe te reja. Të respektohen masat dhe protokollet , por duke shtuar stacione të reja duke parashikuar fluks turistësh.”
Në fund të intervistës, kryebashkiaku Gurma bëri dhe një apel të fortë për bizneset, të cilat i nxiti të respektojnë të gjitha masat e nevojshme, për të garantuar shëndetin publik. “Bashkia e Sarandës ka marrë masa të shumta për të respektuar distancën fizike në plazhe, për shkak edhe të protokolleve të reja të sigurisë, që ka nxjerrë qeveria.Bizneset duhet të garantojnë në rradhë të parë sigurinë, rregullat strikte, distancimin social dhe të jenë mikpritëse më shumë se vitet e tjera.” – përfundoi ai.