Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, njoftoi se ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes së re të jashtëzakonshme në territorin e të gjithë vendit, që do të zgjasë tetë ditë, duke nisur nga sot.
“Mora një vendim të ri për të përcaktuar ekzistencën e një gjendjeje të jashtëzakonshme në territorin e të gjithë vendit. Vendimi është marrë në bazë të nenit 125 dhe nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas propozimit të paraqitur nga qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe zgjat tetë ditë, duke filluar nga 15 qershori i vitit 2020″, shkroi presidenti Pendarovski në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale.
Në njoftim, Pendarovski thotë se ”partitë politike kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik 2020”.
“Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ka për qëllim të bëjë të mundur përgatitjen pa pengesa të zgjedhjeve dhe veçanërisht zbatimin e masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në mes të një pandemie të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Gjendja e jashtëzakonshme me kohëzgjatje prej tetë ditësh do të lejojë që procesi zgjedhor të vazhdojë i pandërprerë”, theksoi Pendarovski.
Siç thuhet në njoftimin e Kabinetit të Presidentit, pas marrëveshjes së arritur politike, është e nevojshme që institucionet të ndërmarrin të gjitha veprimet në kohë sipas kompetencave të tyre, në mënyrë që të bëhen përgatitje cilësore dhe të plota për procesin zgjedhor.
“Pres që ditët e gjendjes së jashtëzakonshme të përdoren vetëm për t’u miratuar vendimet dhe protokollet e nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, me theks në masat e mbrojtjes së shëndetit publik”, ishte deklarata e presidentit Pendarovski.