Në një interviste, kreu i Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban, Rixhin Qoshja, tregoi se po bëhen përshtatje bazuar te modelet europiane të transportit urban.
“Jemi munduar të bëjmë disa adaptime bazuar në modelet që janë bërë në Europë për të kuptuar kapacitetin e pasagjerëve që mund të transportojmë. Jemi ende ne pritje të protokollit zyrtar për adaptimet finale. Me rregullat e reja që do aplikojmë, s’mund të qarkullojnë më shumë se 25% e kapacitetit total të autobusit në një mjet duke ruajtur distancën e sigurisë. Për ne si operatorë është problem për sa kohë nuk kemi ende një mbështetje financiare, pasi nuk mendohet dot se mund të funksionojmë duke shfrytëzuar vetëm 25%.”
“Përderisa transporti publik është ambient i mbyllur, do të jenë të njëjta kushte që përdoren sot në ambientet e mbyllura. [Duhen] maskat dhe dorezat patjetër. Në lidhje me fatorinon, ky është problem sepse s’mund të respektojmë distancën e sigurisë me fatorinon. Kjo mbetet për t’u zgjidhur nga çfarë do të marrim informacion nga autoritetet përkatëse.”
“Madje ne duhet të kishim filluar më shpejt akoma. Prishtina ka filluar javën e kaluar. Kështu që dhe ne duhet të rifillojmë me patjetër, por duhet që të kuptojmë skemën financiare se si do funksionojmë dhe patjetër kushtet e sigurisë që duhet të respektojmë në transportin publik.”
Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban po shihet edhe mundësia që në urban gjatë kësaj periudhe të mos ketë fatorino dhe të gjendet një mënyrë alternative për këtë.