Në më pak se 48 orë janë regjistruar edhe 10 të prekurit e parë me Coronavirus në vendin tonë, shifër kjo e konfirmuar zyrtarisht nga zëvendësministrja Mira Rakacolli, e cila në një dalje publike të para një ore deklaroi se të gjithë pacientët e prekur kanë histori udhëtimi me Italinë. Sipas Rakacollit, 4 persona janë të lidhur me dy të infektuarit e parë, ndërsa dy të tjerët nuk kanë lidhje me pacientët zero, ndërsa për dy rastet e tjera ajo tha se janë evidentuar të infektuar, pasi kanë mbërritur në Shqipëri pas vizitave për pak ditë në Itali.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i shefit të Urgjencës Mjekësore, zotit Skënder Brataj i cili në një deklaratë për mediat bëri thirrje që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme.
“Jemi në kushtet e fillimit të epidemisë. Ka sëmundshmëri. Kemi dhe të panjohurën e këtij virusi. Ajo që dua të them është se është trefishuar numri i thirrjeve në urgjencë. 80% e njerëzve që infektohen nuk shfaqin simptoma. Në këtë sezon kemi pasur gjithmonë gripin. Jemi në të njëjtat kushte në këtë moment. Ka një shpërndarje të shpejtë. Gjithsecili të rri në shtëpi të vet. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm. E ndaloi Kina. I morën masa. Nuk ka rrugë tjetër nuk është vetëm forca dhe ligji. Duhet të izolojmë kontaktet. Distance 1 metër, edhe unë jam i stresuar. Duhet thjeshtë bashkëpunim. Jo në spital sepse po të shkosh, mund ta merrni nëpërmjet kontaktit. Ju lutem. Duhet të merrni parasysh këshillat.”- tha Brataj.