Rritet sërish numri i të prekurve me Koronavirus në vendi, 19 raste të reja në 24 orët e fundit

Aktualitet Botë/Rajon

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat e fundit në lidhje me numrin e personave të prekur nga pandemia globale e COVID-19 në Shqipëri. Me anë të një deklarate për mediat, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli  tha se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 252 raste të dyshuara, prej të cilëve 19 kanë rezultuar pozitivë duke e çuar numrin total të të prekurve në 494. Deri tani në Shqipëri kanë humbur jetën 25 persona, ndërsa viktima e fundit është një 90-vjeçar nga Fieri.

“Në vijim të informimit të përditshëm ju bëjmë me dije për situatën e 24 orëve të fundit në Shqipëri lidhur me COVID-19. Dje janë testuar 252 persona të dyshuar, mes tyre 44 janë personel shëndetësor. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 11 raste në Tiranë, 1 rast në Krujë, 1 rast në Korçë, 1 rast në Elbasan, 5 raste në Kukës mes tyre 1 personel shëndetësor.  Deri në këto momente janë testuar 4558 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 494 raste. Siç shihet nga grafiku, edhe pse sot janë 19 raste të reja, pavarsisht luhatjeve ditore, kurba mbetet e qendrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar.Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 90-vjeç nga Fieri, i intubuar prej 11 ditësh i cili vuante nga diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni. Pavarësisht perpjekjeve te stafeve mjekesore, 25 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje”, tha ajo.

Aktualisht në dy spitalet e COVID në Shqipëri po marrin shërbim 48 pacientë, ndërsa numri i të shëruarve ka shkuar në 251 persona. Zonja Rakacolli theksoi se pavarësisht rasteve të shtuara me COVID-19, situata në spitalet përkatëse është e qëndrueshme.

“Gjatë 24 orëve të fundit, 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 251. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 39 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 48 pacientë. Pavarësisht rritjes me 19 raste të reja në 24 orët e fundit, kemi një numër të qendrueshëm të rasteve në spital”, shtoi ajo.

Harta e personave të prekur nga COVID-19 është zgjeruar në Tiranë, Kukës, Krujë, Elbasan dhe në qytetin e Korçës.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive

– Tiranë           237 raste

– Durrës           42 raste

– Lushnje         6 raste

– Elbasan         16 raste

– Fier                32 raste

– Kavajë           8 raste

– Rrogozhinë    4 raste

– Korçë             18 raste

– Vlorë              5 raste

– Shkodër          71 raste

– Lezhë             14 raste

– Berat              2 rast

– Has                13 raste

– Krujë             7 raste

-Tropojë          4 raste

– Pukë              5 raste

– Mirditë           3 raste

– Kukës            6 raste

Ministria e Shëndetësisë në fund apelon për kujdes të shtuar tek qytetarët, ku kërkon prej tyre të ruajnë vigjilencën dhe të tregojnë përgjegjshmëri maksimale për të ruajtur distancën fizike.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”.