Ka rinisur ditën e sotme viti shkollor për thuajse 13 mijë nxënës, që nuk kanë patur mundësi që ta ndjekin online gjatë periudhës së izolimit prej pandemisë së Koronavirusit. Mësimi do të zhvillohet për nxënësit e klasave nga 1-5 dhe do të fokusohet vetëm në dy lëndë: tek gjuha shqipe dhe matematika. Sipas mësuesve, ky proces, i cili ka nisur disa javë para fillimit normal të vitit shkollor shihet si një program plotësues.
“Bëjmë me dije se në datën 31 gusht deri në 11 shtator do të zhvillohen mësime plotësuese VETËM me ata nxënës të klasave 1-5 (cikli fillor), të cilët nuk kanë pasur akses dhe mundësi gjatë periudhës së mësimit online, mars–maj 2020. Ky program plotësues i pajis këta nxënës me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe matematikore që i përkasin programit mësimor, të zhvilluar në periudhën mars-maj 2020”, njoftoi më herët Ministria e Arsimit.