Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 280 testime nga të cilat kanë rezultuar pozitive 66 raste. Një 67-vjeçar nga Shkodra ka humbur jetën. Në komunikimin e përditshëm me publikun, Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor bëri me dije se shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë është si vijon: 32 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 7 në Vlorë, 6 në Durrës, nga 3 raste në Shkodër dhe Fier, nga 1 rast përkatësisht në Tropojë, Lezhë, Elbasan.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 9 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1086.
Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një pacient 67 vjeç nga Shkodra i konfirmuar pozitiv me Covid19, i cili vuante nga Insuficienca kardiake dhe disa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.
Pas disa ditëve në terapi intensive, i intubuar, 67-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit.
Aktualisht në sherbimin infektiv po marrin shërbim 55 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 663 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.
Nisur nga fakti se ditët e fundit po vihet re shtim i rasteve në aktivitete biznesi, ndërmarrje me shumë punëtorë, institucione publike dhe private, i bëjmë apel të gjithëve: Ju lutemi respektoni rregullat.
E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara.
Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh”, tha ajo.
COVID-19 – Statistika (18 Qershor 2020)
Testime totale 21790
Raste pozitive 1788
Raste të shëruara 1086
Raste Aktive 663