Maturantët janë të vetmit që do të rikthehen në bankat e shkollës për këtë vit akademik më 18 maj. Dhe ky rikthim do të vijë bashkë me zbatimin e rregullave të masave të sigurisë.
Në komunikimin e fundit online, ministrja Besa Shahini renditi rregullat e reja dhe më të rëndësishmet që maturantët duhet të kenë parasysh javën e ardhshme.
1. Para se të shkoni në shkollë, duhet të pajiseni me maskë.
2. Para se të hyni në shkollë, duhet të rreshtoheni duke mbajtur distancë 1.5 deri në 2 metra larg njëri tjetrit. Një distancë e tillë duhet të mbahet gjatë gjithë qëndrimit në shkollë.
3. Ulja nëpër klasa është organizuar gjithashtu me një distancë nga njëri tjetri.
4. Bangat janë të pajisura me dezinfektues që mund t’i përdorni herë pas here.
5. Larja e shpeshtë e duarëve për rreth 20 sekonda.
Ministrja u shpreh gjithashtu se në hyrje të secilës shkollë dhe në korridoret e secilit kat janë të vendosura postera me ilustrime të thjeshta të rregullave kryesore që duhet të ndiqen nga maturantët gjatë qëndrimit në shkollë. Gjithashtu ajo kujtoi rëndësinë e higjienës personale, të larjes së shpeshtë të duarve.