Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka thyer heshtjen dhe ka folur për herë të parë për ndarjen nga jeta në moshën 71-vjeçare të akademikut të njohur Moikom Zeqo. Në një intervistë, ai e ka cilësuar Zeqon si një nga ata që i mungojnë shumë letërsisë kur largohen nga jeta.
“Ishte një nga ata që krijonte gëzim, gjallëri në jetën letrare. Për këtë, ai ka qenë edhe shumë i njohur. Është nga ata, që i mungojnë shumë letërsisë kur largohen nga jeta”, thotë Kadare.
Sa i përket veprës së Erudit shqiptar, Kadare shprehet: “Ka qenë i çmuar. Nuk ka qenë i menjanuar, as i pavlerësuar, përkundrazi. Miku ynë, në letërsinë letrare shqiptare tregoi se është e shëndetshme që t’i gëzojmë njerëzit që duan”.
Më tej, ai ka deklaruar për mikun e vjetër se letërsia ka nevojë për njerëz që ta mbajnë gjallë dhe është ditë zie, ku ata nuk janë më, raporton newbomb.al.
“Letërsia ka nevojë për njerëz që ta mbajnë gjallë, që e duan artin dhe janë të lidhur me të. Dhe është ditë zie, sidomos kur njerëz të tillë largohen nga jeta”, përfundon Kadare.