Thaçi takim me serbët

Politikë

largea_premtimet-e-pap-euml-rmbushura-t-euml-tha-ccedil-it_hd1455967854.jpg

Njohës të fushës së ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve kanë vlerësuar se pas tetë vjetësh pavarësi, ekonomia e Kosovës vazhdon të përballet me sfida të shumta.
Sipas tyre, kjo po ndodh pasi agjenda politike ka mundur agjendën ekonomike dhe se Qeveria nuk e ka dhënë kontributin e duhur për zhvillimin e ekonomisë. Sipas tyre, bruto prodhimi vendor, norma e lartë e papunësisë, mungesa e zhvillimit ekonomik si dhe normat e larta të kredive kanë ndikuar që zhvillimi ekonomik mos të jetë në nivelin e duhur.
Ata kanë thënë se problemi esencial qëndron te krijimi i klimës për të bërë biznes qoftë në aspektin legjislativ, por edhe te shërbimet publike siç janë energjia elektrike dhe uji.
Presidenti i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Samir Krasniqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se për tetë vjet pavarësi në Kosovë, sektori privat është anashkaluar shumë. “Përmbledhur me një fjali, sektori i ekonomisë së Kosovës rezulton të jetë goxha i anashkaluar, për të mos thënë i injoruar tërësisht dhe jo vetëm që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Menjëherë pas luftës ky sektor nuk u trajtua si prioritet, duke mbetur plotësisht nën hije të agjendave politike për shpallje të shtetësisë së vendit. U harruan duke u bërë punë ad hock, pa ndonjë plan të saktë veprimi”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë ekonomia, mbeti e nënvlerësuar. “Tani, kur veç janë bërë tetë vjet të shpalljes së pavarësisë, kur shteti i ka vendosur disa shtylla funksionale, ekonomia praktikisht sërish mbetet jashtë prioriteteve të larta, me pretekstin se vendit i duhet stabiliteti. Stabiliteti është shumë i rëndësishëm për një shtet dhe kjo nuk diskutohet, por a mund të ketë stabilitet pa zhvillim ekonomik? Absolutisht jo. Vendi ynë rrugën e stabilitetit dhe prosperitetit mund ta gjejë vetëm nëpërmjet zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së saj”, është shprehur ai.
Nënkryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) dhe drejtor i përgjithshëm i “Meka Halal Food”, Burim Piraj, ka deklaruar se Kosova që nga shpallja e pavarësisë nuk ka arritur të ketë zhvillime të kënaqshme në ekonomi. “Bruto Prodhimi Vendor, si një parametër makroekonomik, nuk arriti ta ketë rritjen e pritur e me të edhe krijimi i vendeve të punës nuk ishte në nivel, sepse nuk janë plotësuar kërkesat e qytetarëve tanë për punësim. Këta tetë vjet ekonomia dhe ndërmarrësit kosovarë janë ballafaquar me shumë sfida të natyrës së ndryshme, të cilat kanë qenë pengesë për zhvillim dhe krijim të një ekonomie të fortë. Ndërmarrësit kosovarë, por edhe ekonomia kosovare, janë ballafaquar me barriera tarifore e jotarifore nga të gjithë vendet e botës, por edhe kanë pasur pengesa të panumërta të natyrës politike”, ka deklaruar Piraj.
Kurse Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi, ka thënë se për t’i parë ndryshimet se cili ka qenë më parë pozicioni i ekonomisë e cili është sot, atëherë del një rritje më e madhe mirëpo, sipas tij, ky krahasim s’mund të jetë real, pasi duhet të shikohet në prizma të ndryshme.
“Krahasuar me nevojat dhe kërkesat, por dhe me mundësitë, rritja është shumë e ulët. Problemi esencial qëndron te krijimi i klimës për të bërë biznes, qoftë në aspektin legjislativ, por edhe te shërbimet publike siç janë energjia elektrike dhe uji. Këtu janë ngecjet kryesore. Këto kanë ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në ngecjen e tërheqjes së investimeve të huaja direkte”, ka deklaruar Rexhepi. /Epoka e Re/Telegrafi/