Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk e përkrahin asnjë kandidat individual për t’u zgjedhur president i Kosovës.
Ky është qëndrimi i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, pas deklaratave publike të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ditë më parë ka thënë se SHBA-të mbështesin zgjedhjen e tij si president.Analistët politikë thonë se Thaçi është munduar ta shfrytëzojë vizitën në SHBA kinse e ka mbështetjen e këtyre të fundit për president.Halil Matoshi, analist politik, ka thënë për “Zërin” se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe asnjë shtet demokratik në raport me një demokraci tjetër (siç supozohet të jetë Republika e Kosovës) kurrë nuk përkrahin asnjë kandidat të veçantë. Ata, siç ka thënë ai, e përkrahin demokracinë.“Pra del se Hashim Thaçi po përpiqet t’i keqpërdorë edhe amerikanët në luftën e tij për pushtet personal, duke e dëmtuar rëndë shtetin kosovar dhe demokracinë e brishtë kosovare”, ka thënë Matoshi.Ndërsa analisti tjetër, Imer Mushkolaj, thotë se Hashim Thaçi është përpjekur të keqpërdorë vizitën e tij në SHBA, duke e paraqitur si mbështetje personale në procesin e zgjedhjes president. /Zëri/