Rama pritet nga kryebashkiaku De Blasio

Politikë

grrggrae.jpg

Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në SHBA. Në stacionin e parë të vizitës së tij atje, Rama është pritur nga kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Bill de Blasio. Gjatë këtij takimi është nderuar edhe roli i Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kryeministri Rama vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA-ve si dhe rolin që ato kanë luajtur në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare.

Ndërsa kryebashkiaku De Blasio e përgëzoi Ramën për reformat e ndërmarra si dhe vlerësoi rolin e komunitetit shqiptar në Nju-Jork.

“Kënaqësi e posaçme mikpritja e kryebashkiakut të Nju-Jorkut në stacionin e parë të vizitës në SHBA. Thank you so much Mayor“, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Më pas, kryeministri ka zhvilluar një takim edhe me shqiptarët e Nju-Jorkut.

“Faleminderit çdokujt që me praninë sonte e bëri takimin me shqiptarët e Nju-Jorkut kaq mbresëlënës për numrin e madh dhe energjinë pozitive”, shkruan kreu i qeverisë.

Gjatë vizitës disaditore në SHBA, Rama pritet të zhvillojë takime të rëndësishme në Departamentin e Shtetit, Kongresin dhe Senatin amerikan.

/ Shekulli Online /