Përse Europa është bërë shënjestër e terrorizmit

Politikë

Europa-1-e1458729614688-780x439.jpg

Sulmet terroriste të së martës në Bruksel shënuan sulmin e tretë në shkallë të gjerë të terrorit, në 15 muaj, në Europë. Pesë faktet e mëposhtme tentojnë të shpjegojnë se përse Europa është bërë “Pika Zero” për terrorizmin islamik.

1. Vënia në skenë

Cikli i dhunës në Bruksel nisi në maj 2014, kur disa luftëtarë francezë të lidhur me ISIS hapën zjarr në Muzeun Hebre të Brukselit dhe vranë tre persona. Ky sulm u pasua nga ai në Charlie Hebdo në Paris, një sulm në një forum për fjalën e lirë ne Danimarkë, sulmet në Paris në Bataclan dhe Stade de France dhe në fund, sulmet terroriste të së martës në Bruksel.

Në mbarë Europën, më shumë se 185 persona janë vrarë, por popullsia e më shumë se 500 milionë banorëve në Bashkimin Europian është terrorizuar.

Teksa ISIS mori përgjegjësinë për shpërthimet e të martës, disa nga sulmet e mëparshme besohet se vetën janë frymëzuar nga ISIS, çka i bën ata jo më pak trishtues.

ISIS ka ndërmarrë apo ka frymëzuar rreth 57 sulme terroriste në 20 vende jashtë Sirisë dhe Irakut.

ISIS është bërë global, duke mos vepruar më vetëm në territorin e tij, por edhe duke shënjestruar të huajt jashtë.

Teksa ISIS po humbet territorin në Lindjen e Mesme (ka humbur 22 për qind të territorit të pushtuar në Irak e Siri prej janarit 2015, 8 % vetëm në tre muajt e fundit), bota ka duhet të shtrëngojë radhët për një rritje të grupeve të dëshpëruara xhihadiste në çdo hap.

2. Bazat e rekrutimit në Europë

Në një kohë kur shënjestrat e goditura nga ISIS duken si të rastësishme, kjo nuk mund të thuhet për qytetet që kanë zgjedhur.

Nga viti 2012 deri në 2015, më shumë se 400 persona kanë lënë Belgjikën për t’iu bashkuar ISIS–it në territorin e kontrolluar prej tij në Irak e Siri, duke e bërë Belgjikën kryeqytetin e Bashkimit Europian për xhihadistët e huaj, në raport me popullsinë.

Në terma absolutë, ky titull mund t’i shkojë Francës; në të njëjtën periudhë rreth 1 200 persona janë larguar nga Franca drejt Irakut e Sirisë për t’iu bashkuar xhihadit.

Nuk është rastësi që këto dy vende janë një terren i përshtatshëm për terrorizmin islamik.

Të dy kanë disa prej lagjeve më të radikalizuar dhe të izoluara myslimane në kontinent; Molembeku në Bruksel dhe Periferia në Paris.

Kur këta xhihadistë të huaj kthehen në shtëpitë e tyre – autoritetet belge vlerësojnë se 117 kanë lënë Lindjen e Mesme dhe janë kthyer në Belgjikë – ata shpesh kanë lidhje me miq e bashkëpunëtorë që i strehojnë për t’i fshehur nga policia.

Kur Salah Abdeslam, i vetmi i mbijetuar i skuadrës prej 10 personave përgjegjës për sulmet terroriste të nëntorit në Paris, u arrestua së fundi javën e shkuar, ai rezultoi se kishte qëndruar i fshehur për 4 muaj në Molenbek.

3. Kriza e vazhdueshme e refugjatëve në Europë

ISIS jo vetëm ka gjetur një vend pjellor për rekrutimet mes mesin e disa prej më të zhgënjyerve të Europës, por grupi po përfiton edhe nga situata gjeopolitike në Siri, për krijimin e së cilës ndihmoi edhe vetë.

Ngjarja e vetme në Europë në 18 muajt e fundit ka qenë kriza e refugjatëve, teksa miliona u derdhën në kontinent, duke u larguar nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Në 2015, më shumë se 1.1 milionë emigrant hynë në Europë; ka një ulje në 2016 me 135 mijë persona që kanë mbërritur në rrugë detare.

Në krizën e refugjatëve, ISIS ka patur një mundësi të artë për të shtyrë përpara tregimin e tij për një luftë civilizimes mes Islamit dhe Perëndimit – dhe shumë prej liderëve europianë kanë luajtur direkt në duart e grupit terrorist.

Kur kryeministrat e Polonisë dhe Bullgarisë thanë se ishin të gatshëm të pranonin vetëm refugjatë të krishterë, ata i dhanë ushqim ISIS–it për të mbledhur më shumë njerëz të zellshëm rreth kauzës së tij.

Njëri nga kamikazët e Stade de France kishte një pasaportë false siriane, si për të nxitur këtë lloj tregimi. Qartazi ISIS kërkon që europianët të ngatërrojnë refugjatët me terroristët dhe po ia del deri tani.

4. Thyerja e Unitetit Europian

Është ende shumë herët për të thënë se sa në mënyrë të efektshme ISIS e ka përdorur reagimin e Europës ndaj refugjatëve myslimanë si mjet rekrutimi, por kjo ka qenë mjaftueshmërisht e suksesshme për të prishur unitetin politik të Europës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, udhëheqësja de facto e Europës, është në pikën e saj politike më të ulët, edhe pas orkestrimit të një marrëveshje me Turqinë për të vazhduar strehimin e refugjatëve sirianë jashtë Bashkimit Europian.

Marrëveshja, e cila kushtëzohet me heqjen e vizave për qytetarët turq në të gjithë Europën, tashmë është e vështirë për t’u zbatuar. Pas sulmeve të së martës në Bruksel, europianë do të jenë më të frikësuar për të lënë edhe 76 milionë njerëz të tjerë nga një vend kryesisht mysliman, për të udhëtuar të lirë në të gjithë Europën.

Zemra e projektit evropian ka qenë gjithmonë marrëveshja Shengen, e cila ofron për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve nëpër 26 vende evropiane. Dhe teksa disa vende filluan të ngrenë muret gjatë verës në përpjekje për të frenuar fluksin e refugjatëve, çështja mori një rrjedhë serioze me sulmet terroriste të nëntorit në Paris dhe vendimin e themelueses së Bashkimit Europian, Francës, për të vendosur kontrollet në kufi. Menjëherë, vendosja e kontrolleve kufitare u pa jo si një lëvizje për të frenuar fluksin e emigracionit, por si çështje mbijetese. Ky është lajm i keq për projektin më ambicioz politik të shekullit të kaluar.

5. Referendumet kanosës

Dhe ky projekt politik do të duhet ende të përballet me testin e tij më të madh: referendumin e Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar ose jo nga BE. Spektri i një vendi që vullnetarisht lë BE –në, veçanërisht i një vendi të rëndësishëm si Britania e Madhe, do ta lërë në pikëpyetje të ardhmen e unionit.

Tashmë, 53 për qind e francezëve dhe më shumë se 45 për qind e gjermanëve, spanjollëve dhe suedezëve duan të ndjekin shembullin Britanisë, me referendum për të ardhmen në BE. Paramendoni se çfarë do të ndodhte nëse do të kishte një sulm terrorist në Mbretërisë së Bashkuar përpara referendumit. Udhëheqësit e ISIS kanë çdo stimul për të destabilizuar kontinentin akoma më tej dhe do të kenë shumë mundësi për t’ia arritur. Kjo e bën Evropën një objektiv kryesor për ISIS –in që po përparon. /Lapsi.al/