Pasi ish-kryeministri Sali Berisha u përjashtua nga parlamenti për 10 ditë, Partia Demokratike ka vendosur të bojkotojë po ashtu seancat plenare për 10 ditë.
Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, i cili është mbledhur për të diskutuar mbi vendimin e byrosë për të përjashtuar deputetin Berisha.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, e ka komentuar këtë veprim të maxhorancës të qëllimshëm sepse, sipas tij, qeveria dëshiron t’i mbyllë gojën dhe derën opozitës, ndaj përjashtuan Berishën si për rrjedhojë.
“S’mund të na e mbyllë gojën kurrë. Edhe sikur të dalim nga ai parlament ne e kemi filluar punën me qytetarët e këtij vendi, parlamentin e vërtetë të këtij vendi. Ata duan të na mbyllin gojën dhe derën”, – ka komentuar pas mbledhjes Paloka.