“Epoka e artë e zgjerimit të Bashkimit Evropian ka kaluar, prandaj Kosova dhe Serbia nuk do të bëhen anëtare e këtij Unioni para 2027”, shkruan “Politico”.
Kosova ka vetëm 30% shanse që të hyjë në BE par 2027-ës, por si datë e anëtarësimit besohet të jetë viti 2027.
Si përparësi ceket se Kosova ka miratuar tashmë euron si monedhë zyrtare, dhe përpiqet që të harmonizojë punën e institucioneve me ligjet evropiane, ndërsa disavantazhet janë se pavarësia e Kosovës nuk është njohur nga pesë vende anëtare të BE, si dhe “korrupsioni i rrënjosur thellë dhe polarizimi politik”.
Ndër arsyet “për” anëtarësim në BE, edicioni evropian i portalit “Politico” thekson se Serbia është vendi më i madh në Ballkan prej të gjithë atyre që aspirojnë të bëhen anëtare, dhe se, në qoftë se i përmbahet agjendës së BE-së, sigurisht që do të ishte një faktor stabiliteti në rajon dhe “fqinj i mirë”.
Komisioni Evropian ka vlerësuar tashmë përparimin e Serbisë në harmonizimin e legjislacionit të saj me standardet evropiane. Si arsye “kundër”, portali ka theksuar se në vitin e kaluar nuk ka pasur progres në luftën kundër korrupsionit.
“Serbia ndoshta mund të vazhdojë të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, përveç nëse asaj i ofrohet anëtarësim në BE. Kjo mund të jetë një taktikë e mençur e Serbisë, por nuk është në përputhje me frymën e normave të BE-së”, vlerëson “Politico”.
Sipas gazetës, kandidati i parë surprizë mund të jetë Shqipëria, e cila tashmë është anëtare e NATO-s, dhe kryesisht e “çliruar nga problemet e luftërave jugosllave të viteve të nëntëdhjeta” dhe mund të bëhet anëtare e BE-së dy vjet para Serbisë, përkatësisht në vitin 2025.
Si një avantazh i Shqipërisë vlerësohet se vendi ka demonstruar aftësinë e saj për të futur sistemin shumëpartiak dhe zbatimin e reformave, dhe se është distancuar nga problemet që kanë vendet e tjera në rajon.
Ndër të metat është se bisedimet zyrtare me BE-në nuk kanë nisur ende, ndërsa korrupsioni dhe krimi i organizuar paraqesin probleme serioze, si dhe politizimi i gjyqësorit.
“Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë një numër të komplikimeve. Sa i përket Maqedonisë, anëtarja e BE-së, Greqia, refuzon bile edhe njohjen e emrit të saj.
Nëse BE-ja lejon që Malit i Zi dhe Kosova të hyjnë në shoqërinë e zgjedhur e jo edhe Serbia, kjo do të shkaktonte jostabilitet të rëndësishëm në rajon.
Bosnja dhe Hercegovina është në pozitën më të keqe prej të gjithëve, dhe mund të ngadalësojë të gjitha vendet e tjera në rast se BE-ja kërkon që vendet e Ballkanit të hyjnë në Bashkim si një bllok “, shkruan “Politico”.
Në edicionin e Evropian të portalit shkruan se Mali i Zi nuk do të bashkohet me BE-në para vitit 2027, ndërsa për BeH mendohet për të njëjtin vit, por shtohet se “ndoshta shumë, shumë më vonë”.
Për Maqedoninë nuk pritet të bëhet anëtare e BE-së para vitit 2030.