Senati amerikan e ka konfirmuar mbrëmë vonë nominimin e presidentit amerikan, Donald Trump për ambasadore të SHBA-së në OKB me 96 vota pro dhe vetëm 4 kundër.
Guvernatorja e Karolinës Jugore, Nikki Haley ka fituar përkrahjen e shumicës së senatorëve demokratë sepse ajo ka dëshmuar se nuk i përkrahë përpjekjet republikane për zvogëlimin e fondeve amerikane për OKB-në.
Senatori demokrat, Ben Cardin, ka deklaruar se Haley gjithashtu ka thënë se “Krimea nuk është ruse” megjithë aneksimin që i ka bërë Moska këtij gadishulli ukrainas në vitin 2014 dhe se ajo i ka ofruar mbështetje të fuqishme mbrojtjes së sovranitetit të Ukrainës.
Udhëheqësi i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker, ka thënë se Haley, vajza e imigrantëve indian, do të jetë një “avokate e fuqishme” për interesat amerikane në OKB.
Senati pritet të votojë se shpejti edhe për kandidatin e Trumpit për Sekretar të Shtetit, Rex Tillerson, ish shefi i kompanisë, Oxxon Mobil, i cili mezi ka arritur ta marrë miratimin e Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë më 23 janar.
Kandidatura e Tillersonit arriti të sigurojë së fundi edhe përkrahjen e senatorit demokrat, Joe Manchin, i cili në vitin 2018 do të kërkojë votën për tu rizgjedhur senator në një shtet që e ka mbështetur fuqishëm presidentin Donald Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale.