Plani vjeshtë – dimër për përballimin e COVID-19; çfarë përfshin dhe si do përballohet fluksi

Aktualitet

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur se është shtuar një ekip i ri prej 48 infermierësh, të cilët po shërbejnë në Spitalin Infektiv, ku prej më shumë se 5 muajsh po trajtohen të prekurit me COVID-19.
Deri tani janë 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor gjatë periudhës së epidemisë në vend, Manastirliu është shprehur se forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore është një parapërgatitje për periudhën vjeshtë-dimër, ku mund të nevojitet që strukturat e reja spitalore, tashmë të bëra gati, të hapen për të përballuar fluksin.
“Janë 48 infermierë që së fundmi i janë bashkuar ekipit të QSUT-së dhe pikërisht Spitalit Infektiv. Tashmë sistemit shëndetësor po i shtohet një armatë e re infermierësh, për të mbështetur ekipet tona shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, kemi rreth 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor.”
Duke folur për përballimin e situatës në vjeshtë-dimër, Manastirliu tha se po bëhemi gati për hapjen e strukturave të tjera spitalore, në rast të rritjes së fluksit.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se pavarësisht situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e virusit SARS COV2, sistemi shëndetësor nuk e ka ndaluar punën në asnjë moment dhe aktualisht po jep shërbim me kapacietete të plota edhe për të gjithë qytetarët.