“Bizneset kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të zbatuar me përpikëmri masat për kushtet e punës të përshtatshme, masat higjieno-sanitare, dezinfektimin e ambienteve, distancimin fizik të punonjësve dhe klientëve, sipas protokolleve te miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar ne nivelet e rrezikut të bizneseve. Për bizneset ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i lartë, do të vendosen monitorues nga Ministria e Shëndetësisë. Bizneset do të penalizohen nëse nuk do ti kenë këto dokumente bazë dhe nëse nuk zbatojnë protokollet përkatëse”, tha Manastirliu.
Komiteti Teknik i Eksperteve ka hartuar planin e lehtësimit gradual të masave, i cili bazohet në kriteret epidemiologjike, kapacitetet spitalore dhe burimet e nevojshme për kontrollin dhe monitorimin e situatës.
“Paketa e masave shoqëruese përcakton hapjen graduale, duke marrë një minimum 2-javor, nga njëra fazë tek tjetra. Në vendimmarjen për të kaluar nga njëra fazë e planit të hapjes tek tjetra, do të vlerësohen nëse do të ketë rënie të qëndrueshme gjatë dy javëve sa i takon 3 indikatorëve: Rastet ditore të konfirmuara me COVID19, numri i qytetarëve të shtruar në spital dhe rastet në terapinë intensive”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë lajmëroi zgjerimin e fashës orare për këmbësorët dhe hapjen e një seri biznesesh, duke filluar nga java tjetër.