1 qershori do të sjellë edhe më shumë liri për qytetarët pas një periudhë të gjatë në karantinë për shkak të Covid-19. Iliri i cili është instruktor palestre prej disa vitesh shprehet se ka pasur një interes të madh nga të apasionuarit pas stërvitjeve se kur hapen palestrat.
“Ka pasur nje interest e madh te klienteve besnike qe bejne prej vitesh stervitje. Ata kane bere pak vete stervitje ne menyra rrethanore ne shtepi apo ne natyre kur eshte lejuar. Prej shume vitesh merremi me kete pune, na kane munguar klientet dhe mezi po presim te rikthehen”, thotë Ilir Logu, instruktor palestre.
Tashmë edhe pse palestrat do të hapen, ato do duhet të zbatojnë protokollet e sigurisë në mënyrë rigoroze.
“Faktikisht pas kesaj periudhe kane ndryshuar shume gjera. Do ruajme shume pjesen e distancimit, pjesen e dezinfektimit, palestra do dezinfektohet gjithe kohes sic rekomandohet nga Ministria e Shendetesise”, thotë ai.
Përdorimi i ambienteve të përbashkëta siç janë dushet, janë pjesa disi më delikate, ndaj instruktoret e palestrave rekomandojnë që ato të evitohen sa më shumë të jetë e mundur. “Mund të vijnë me rroba palestre dhe të kthehen po prap ashtu pa i përdorur shumë dushet, pavarësisht se ato do dezinfektohen që të ketë kushte sa më të mira higjienike”, thotë Logu.
Periudha e karantinës i detyroi qytetarët të qëndronin brenda për rreth 3 muaj, për rrjedhojë pati mungesë të aktivitetit fizik dhe nga ana tjetër shtim të konsumit të ushqimeve të ndryshme, instruktorët japin dhe disa këshilla.
“Përveç aktivitetit fizik, duhet patjetër edhe kujdes i madh me ushqimin, duhet t’i kthehemi realitetit gradualisht. Duke bërë sa më shumë aktivitet fizik. Duke qenë se palestra është e hapur 24 orë, ne do mundohemi të shmangim edhe fluksin. Sugjeroj sa më shumë aktivitet fizik në natyrë apo palestër, të kenë sa më shumë kujdes me ushqimin që t’u kthehet ajo energji që kanë pasur përpara pandemisë”, u shpreh instruktori.
Teksa palestrat dhe shumë aktivitete të tjera do rihapen prej të hënës së 1 qershorit, një fat të tillë nuk do ta kenë frekuentuesit e jetës së natës, të pishinave, kinemave, teatrove, të paktën deri më 23 qershor.