Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha në një intervistë se heqja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk do të thotë se gjendja e pandemisë ka kaluar, pasi disa aktivitetet do të vijojnë të mbeten të mbyllura. Ministrja përmendi këtu dasmat, këndet e lojërave në ambiente të mbyllura, kinematë dhe teatrot.
Por, lajmi pozitiv është se me kalimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore vendi nuk do të ketë më rikthim në karantinë.
“Heqja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të thotë se nuk ka rikthim mbrapa në mbylljen dhe kufizimin e lëvizjes, por kjo nuk do të thotë se gjendja e pandemisë ka përfunduar. Ndaj qëndrojnë të gjitha masat në kuadër të gjendjes së epidemisë, që janë vendosur për të mos lejuar përhapjen. Kufizimet që mbeten në fuqi janë ato që lidhen me aktivitete që kanë risk të lartë, klubet e natës, këndet e lojërave me ambiente të mbyllura dhe pishinat. Gjithashtu kinematë dhe teatrot nuk do të hapen”, tha Manastirliu.
Ajo theksoi më tej se do të ketë vlerësim hap pas hapi për këto aktivitet që janë të mbyllura. Të ndaluara do të vijojnë të mbeten edhe dasmat të cilat ishte parashikuar se do të lejoheshin pas 23 qershorit. Sipas ministres grumbullimet familjare janë rrezik për infektimin zinxhir dhe shtyrja ka ardhur gjithashtu dhe për shkak të rritjes së numrit të të prekurve.
Sa i takon transportit publik, ministrja e Shëndetësisë tha se çdo udhëtar do të jetë i detyruar që të mbajë maskë dhe respektimi i protokollit do të monitorohet nga subjektet që do të ofrojnë këtë shërbim.
“Normaliteti i ri na dikton që të jetojmë në rregulla të reja dhe sot kërkohet më shumë se kurrë një ndërgjegje e lartë. Vendosja e maskës gjatë përdorimit të transportit publik është një detyrim”, tha Manastirliu.
E pyetur lidhur me shkakun e rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 pas lehtësimit të masave, ministrja e Shëndetësisë tha se, kjo ka ardhur kryesisht për shkak të mos respektimit të masave nga ana e qytetarëve pas heqjes së karantinës dhe kufizimeve.