Kryeministri britanik Boris Johnson ka anuluar për herë parë Krishtlindjet për miliona njerëz, për shkak të një mutacioni që Koronavirusi ka pësuar së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar. Në një konferencë emergjente për shtyp, kryeministri njoftoi se një e treta e Anglisë, do të vendoset në të ashtuquajturën “Tier 4” duke nisur nga mesnata e djeshme.
Dyqanet jo thelbësore do të mbyllen dhe do të ketë kufizime lëvizjeje në ditën e Krishtlindjeve, edhe pse ishte vetë ai që pak ditë më parë u shpreh se do të ishte çnjerëzore, anulimi i festave. Gjithashtu banorët e “zonave të kuqe” nuk duhet të largohen nga qyteti i tyre. Deri më tani nuk do të lejohen që të bashkohen më shumë se tre familje për të festuar.
Ndryshimi i masave shkaktoi zemërim tek familjet që kishin bërë plane duke rezervuar udhëtime për t’u ribashkuar me familjarët e tyre. Megjithatë Johnson u justifikua me faktin se masat janë të nevojshme derisa të mësonin më shumë lidhur me mutacionin e COVID-19. Ky i fundit nuk duket se është më vdekjeprurës, por besohet se ka më shumë fuqi ngjitëse.
Sidoqoftë, kishat dhe xhamitë do të mund të qëndrojnë të hapura. Masat do të aplikohen për të paktën dy javë, dhe situata do të shqyrtohet sërish më 30 dhjetor.