Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditura të tjera masa që do të merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit gjatë një dalje të saj pak minuta më parë për mediat, ndërsa ka njoftuar se reagimet publike nga sot do të bëhen virtualisht.
Ministrja tha se do të mbyllen të gjitha lokalet, baret e restorantet, në Tiranë dhe në Durrës momentalisht deri në një njoftim të dytë.
Ajo paralajmëroi bizneset që nuk zbatojnë këtë urdhër, duke thënë se do të gjobiten me 20 milion lekë të vjetra.
Ajo tha gjithashtu sikurse është lajmëruar më herët, se qytetarët që kthehen nga Italia dhe nuk vetëkarantinohen, do të gjobiten me 5 mijë euro.
“Ju bëj me dije se i kam propozuar Këshillit të Ministrave përshkallëzimin e masave: Mbylljen e të gjitha bareve dhe klubeve në Tiranë dhe Durrës. Gjobë 5 mijë euro për qytetarët që vijën nga zonat prekura dhe nuk respektojnë urdhrin për vetëkarantim edhe për ata që kanë rezultuar pozitiv me kornavirus. 20 mln lekë të vjetra për baret restorante apo klubet që nuk zbatojnë vendimin për tu mbyllur deri në një vendim të dytë. Vendosjen e distancës 1.5 metër mes punonjësve te bizneset. Reduktimin në maksimum të personelit të CallCenterave. Komunikimet do të jenë në mënyrë virtuale me median“, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu deklaroi se kjo nuk është një kohë për të sfiduar armikun me papërgjegjshmëri, por për t’u mbrojtur prej tij me përgjegjësi prindërore, familjare dhe në fund ligjore.