Në një deklaratë për mediat, Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri me dije se nga dita e mërkurë do të hyjnë në fuqi masat kufizuese.
“Duke analizuar grupet më të prekura, shkaqet e rritjes, rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për këtë fazë të zhvillimit të pandemisë si edhe eksperiencën në rajon, Europë dhe botë, Komiteti propozon të merren disa masa që janë pjesë e strategjisë sonë të vjeshtë-dimrit për përhapjen e infeksionit. Ne vlerësojmë se duhet t’i ndërmarrim këto masa dhe i konsiderojmë ato të domosdoshme në mënyrë që të frenojmë përhapjen e infeksionit. Masa që kemi propozuar është kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 06:00 në të gjithë vendin, me përjashtim të lëvizjeve që do të bëhen për motive pune, emergjenca shëndetësore të domosdoshme.
Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e mërkurë në datën 11 nëntor dhe do të zgjasin për tre javë. Do të rishikohen në varësi të situatës.”