Gjatë konferencës për shtyp, krah ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca, Rama njoftoi në lidhje me hapjen e plotë të vendit. Kryeministri tha se 18 maji do të shënojë ditën e rikthimit në normalitetin e ri, vetëm nëse gjërat shkojnë sipas parashikimit dhe nuk ka asnjë përkeqësim të situatës së pandemisë në vend.
“Pas 18 majit ne presim të lehtësojmë gjerësisht lëvizjen qoftë brenda për brenda qoftë për të kapërcyer kufijë, por ka gjithnjë një kusht, numrat duhet të na ndihmojnë, përndryshe do bëjmë hapa pas.
Që mos të bëjmë këtë duhet të gjithë të luftojmë individualisht, me zbatimin e rregullave që janë mësuar përmendësh, ne mund të mbrojmë shëndetin e familjarëve dhe të vendit në këtë proces hapje, se fatkeqësia e madhe në këtë situatë nuk është që vendos shumica, por një pakicë shumë e vogël që merr në qafë gjithë shumicën.”
Ndër të tjera, kreu i vendit njoftoi se të gjithë të riatdhesuarit e tjerë, nuk do ta kenë të nevojshme të karantinohen nëpër hotele, por mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për 14 ditë.