Tashmë është zyrtarizuar që në 1 qershor do të hapen kopshtet dhe çerdhet, por me rregulla strikte të përcaktuar në protokoll. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar. Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 Qershor, protokolli i të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Vlerësojmë që ky protokoll por edhe të gjithë protokollet e sigurisë duhet të zbatohen rreptësisht, pasi janë baza për ruajtjen e shëndetit të popullatës”.
Sipas Ministres së Shëndetësisë, faza e dytë e rihapjes do të vijojë edhe me sezonin turistik, me protokolle sigurie në funksion të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes së qytetarëve, për të kufizuar përhapjen e COVID19.
“Nuk duhet të harrojmë që ky virus vijon të qarkullojë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të gjitha strukturat në gatishmëri. Kemi hyrë në javën e 12 të epidemisë me mbi 1 mijë të prekur. Tashmë edhe puna bëhet më e vështirë për të gjurmuar kontaktet, ndaj duhet të intensifikohet puna nga strukturat tona të terrenit“, tha Manastirliu.
Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, prof. Najada Çomo deklaroi se situata është e qëndrueshme, por ka raste të rënda në spital dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve.
“Duhet të jemi realistë që ka persona të shtruar në spitalin infektiv që janë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe duke patur parasysh që kemi patur dy vdekje brenda pak ditësh tregon për vazhdimin e gravitetit të sëmundjes, pa çka se shifra është nën 20. Por kjo shifër mund të zvogëlohet ose të shtohet në ditët në vijim. Masat e marra dhe pjesa e ruajtjes së distancimit janë elementë shumë të rëndësishëm për të ruajtur shifrat e ulëta të pacientëve të shtruar në shërbimin infektiv”.