Ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Rikard Ljarja. Mësohet se ikona e kinematografisë shqiptare vuante prej kohës nga një sëmundje e rëndë, e cila i mori edhe jetën ditën e djeshme. Familja Ljarja ka njoftuar të gjithë miqtë dhe dashamirësit e tij, se ceremonia për shkak të situatës do të bëhet vetëm me rrethin e ngushtë familjar dhe sipas amanetit të tij, ai do të prehet në qytetin e Shkodrës.
Rikard Ljarja lindi më 1 prill të vitit 1943. Në vitin 1965 mbaroi shkollën e lartë të aktrimit “Aleksandër Moisiu”, Tiranë. Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga Kinostudio. Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.
Që prej vitit 1973 ka qenë protagonistë në shumë filma kinematografik, si “Fletë të bardha”, “Pesha e kohës” përkrah Kadri Roshit”, por edhe ka qenë regjisor si në filmi “Skëterr 43”, “Në pyjet me borë ka jetë”, e gjithashtu i madh ka qenë kontributi i tij edhe si skenarist edhe njeri i penës, ku gjatë viteve të fundit ka botuar disa libra. Ljarja gjithashtu ka qenë skenarist për filmat e njohur shqiptarë “Pesha e kohës” dhe “Kur hapen dyert e jetës”.
FILMAT KU KA MARRË PJESË
Viktimat e Tivarit (1996)
Fletë të bardha – (1990)
Pesha e kohës – (1988)
Rrethi i kujtesës – (1987)
Në prag të jetës – (1985)
Pranverë e hidhur – (1985)
Radiostacioni – (1979)
Në pyjet me borë ka jetë – (1978)
Ilegalët – (1976)
Rrugicat që kërkonin diell – (1975)
Rrugë të bardha – (1974)
Shpërthimi – (1974)
Ndërgjegja – (1972)
Kur zbardhi një ditë – (1971)
Plagë të vjetra – (1968)
Gadhnjim mbi vdekjen – (1967)
Duel i heshtur – (1967)
Komisari i dritës – (1966)