Momenti i shembjes së vilës/ Misteri, si qëndroi në ajër 8 orë…

Aktualitet

Një prej dramave më të mëdha ishte ajo e familjes Lala në Durrës. Anëtarët e kësaj familje të madhe me origjinë nga Kosova ishin në vilën 3-katëshe. Prej tyre ka mbijetuar deri tani vetëm 17 vjeçari Ramë Lala.

Po ka diçka tronditëse në këtë rast. Sipas vëzhguesve dhe specialistëve të ndërtimit, kjo godinë ka marrë goditjen e parë në orën 4 të mëngjesit. Për 8 orë me radhë, objekti me banorët brenda ka qendruar e anuar, e pjerrët, por e pashembur. Anëtarët e familjes Lala ishin aty brenda. E pamundur të dilnin, për shkak se dyert ishin bllokuar. Ata mund të kishin pësuar dëmtime, ose plagë, për shkak të goditjes së parë, por me siguri ishin gjallë. Kanë komunikuar dhe kanë kërkuar ndihmë.

Vila u shemb dhe ra përdhe në orën 12:00 dhe kjo u pa ‘live’ nga transmetimet e televizioneve. Në këtë moment, nuk kishte më çfarë të shpëtoje, sepse kishte vetëm gërmadha.

Pyetja është, përse për 8 orë nuk u bë asgjë? Pse nuk pati një ndërhyrje?

Mund të ishte e vështirë. Disa thonë që ajo godinë nuk kishte mjaftueshëm hekur, dhe mund të binte nga çasti në çast, e të thyhej si të ishte lodër. Kështu që, dukej e pamundur ndërhyrja. Por fakti është, se aty qendruan për 8 orë shumë prej viktimave, përpara se ndërtesa të binte krejt në tokë.

Ditët në vijim ndoshta do të sjellin një analizë më të qartë për këtë situatë. Misteri ngelet i fortë. /Mapo.al/