Dhjetë mjekët dhe njëzet infermierët shqiptarë, të cilët u nisën dje drejt Italisë për të ndihmuar në luftën kundër Covid-19, kanë marrë vëmendje ndërkombëtare.
Reuters, New York Times, Euronews, Balkan Insight, Il Messagerio, Kathimerini, gazeta e përditshme greke, National Post, gazeta e përditshme kanadeze etj., shkruajnë se “Shqipëria, një nga vendet më të varfëra të Europës, dërgoi një ekip mjekësh dhe infermierësh në Itali për të ndihmuar pandeminë e koronavirusit”.
Në artikuj shkruhet se “Italia e ka ndihmuar Shqipërinë [përgjatë historisë] kur është përballur me disa kriza, si rënia e komunizmit apo anarkia e vitit 1997.”
Ekipi i mjekëve u prit nga ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio.
“E di që disave këtu në Shqipëri do i duket e çuditshme që 30 mjekë e infermierë të armatës sonë të vogël të bluzave të bardha, nisen sot për në vijën e zjarrit në Itali. E di po ashtu se 30 mjekë e infermierë nuk e përmbysin raportin e forcës vrastare të armikut të padukshëm dhe forcave të bluzave të bardha që po luftojnë me të në vijën e zjarrit matanë detit. Por di edhe që edhe andej është shtëpia jonë tanimë që kur Italia, motrat e vëllezërit italianë, na shpëtuan dhe na mikpritën e na adoptuan në shtëpitë e tyre kur Shqipëria digjej nga dhimbje të papërshkrueshme,” u shpreh kryeministri Rama.