Ndërkohë që temperaturat rriten dita-ditës, si për të na kujtuar se vera është më afër se kurrë, pyetja që shtrojmë të gjithë ka të bëjë me plazhet: a do të mund të shijojmë detin, rërën apo jodin e Jonit sivjet? Shumë është folur për këtë temë dhe për masat që do të merren, duke filluar nga distanca e vendosjes së çadrave e deri tek higjenizuesit e duarve.
Por mbrëmë, për habi të të gjithëve, Rama tha se këtë sezon nuk do të ketë kontrata private për shezlonë dhe çadra, përveç hoteleve. Gjithashtu, sipas tij plazhi do të bëhet “si qëmoti” sepse ato do jenë krejtësisht publike dhe të shqiptarëve.
“Nuk do të lejojmë më asnjë kontratë private për shezlongë dhe çadra, përveç hoteleve. Hotelet kanë turistë, kanë vizitorë, ata mund të vendosin kontratat e tyre. Ndërkohë plazhet e tjera do të jenë plazhe publike dhe qytetarët do të bjnë plazh siç bënim ne dikur kur ishim të vegjël, që shezlongë nuk kishte dhe akomodoheshim me ato mjete rrethanore. Plazhet do të jenë publike. Nuk do të ketë më njerëz që dalin me hunj apo dhëmbë të prishur, që i thonë atyre djemve dhe vajzave: paguaj 5 euro të hysh këtej e të dalësh andej, 7 euro peshqiri, 2 euro jastëku. Plazhet do t’i kenë shqiptarët”, u shpreh kryeministri i vendit.