“Janë 8 ton materiale të mbrojtjes personale, duke filluar nga veshjet, nga syzet, maskat dhe helmetat mbrojtëse, të cilat do të vijojnë të furnizojnë spitalet tona, do të vijojnë të furnizojnë qendrën e urgjencës kombëtare, Institutin e Shëndetit Publik, gjithashtu të gjithë njësitë e kujdesit shëndetësor vendor dhe të gjitha ato struktura, ku personeli përballet në betejën dhe në frontin e parë të luftës kundër COVID-19”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se tashmë duhet të fillojë çlirimi me pikatore i masave shtrënguese por nuk duhet ulur vigjilenca, që nga stafet mjekësore e deri tek qytetarët.
“Tashmë është një fazë e dytë e luftës kundër këtij virusi. Është shumë e rëndësishme që në këto momente që do të fillojë edhe një çlirim me pikatore i masave, të tregohemi akoma edhe më shumë vigjilentë, që nga stafet dhe ekipet tona në terren deri tek qytetarët, duke filluar nga distancimi social i cili në asnjë moment nuk do të duhet të neglizhohet, tek higjiena personale, tek dezinfektimi i ambienteve, tek të gjithë elementët e tjerë të cilët synojnë të mbrojnë qytetarët për t’i bërë ballë këtij virusi të rrezikshëm, i cili humbet fuqinë e tij nëse nuk lejohet transmetimi”, vijoi Manastirliu.
Kujtojmë këtu se më herët, qeveria shqiptare ka porositur edhe 15 ton mjete mbrojtëse për stafet mjekësore.
Aktualisht numri i të prekurve me COVID-19 në vendin tonë ka shkuar në 467, ku në 24 orët e fundit u shënuan 21 raste të reja.
Gjithashtu numërohen 232 të shëruar dhe 23 viktima.