Makinat do të lejohen të lëvizin vetëm në 2 orare

Aktualitet Botë/Rajon

Me ndryshimin e fashës orare për këmbësorët, drejtuesit e makinave mund të lëvizin për në punë vetëm në dy orare: 05:00-08:00 dhe 16:00-17:30

Policia u ka kërkuar qytetarëve të respektojnë masat e reja kufizuese, ndërsa theksohet se së fundmi janë marrë masa duke përdorur edhe dronë inteligjentë  me kamera me rezolucion te larte dhe sisteme audio në të gjithë territorin për të siguruar respektimin e masave nga ana e tyre.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Duke konsideruar urdhërin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë nr. 256, datë 10 prill 2020, ku është zgjeruar fasha orare e lejuar për qarkullimin e automjeteve nga ora 05:00 deri në 17:30, Policia e Shtetit tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve të kategorive të lejuara dhe të autorizuara dhe sqaron që kjo fashë orare nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve të mësipërme.

Është e lejuar vajtja në qendrat e punës, i punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-8:00 dhe kthimi nga puna në fashën e dytë orare 16:00-17:30.

Lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve, të cilat në raste të përsëritura të abuzimit do të pezullohen me penalitetet përkatëse.

Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve në adresat zyrtare të saj, për persona të caktuar që shkelin orarin e karantinës, për grup banorësh në lagje periferike të qyteteve apo për lokale që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, Policia e Shtetit ka marrë masa duke nxjerrë në patrullim punonjës policie të Policisë Kriminale dhe së fundmi dronë inteligjentë në të gjithë territorin.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me rigorozitet çdo masë kufizuese, duke kontribuuar të gjithë së bashku për të parandaluar përhapjen e COVID-19.