Lorik Cana mbledh 60 mijë USD brenda natës për të prekurit nga tërmeti

Aktualitet

Në Shtetet e Bashkuara ndodhet ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana. Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  ditën kur Shqipëria u godit nga tërmeti që shkaktoi shumë dëme në ndërtesa e akoma më tepër në njerëz. Tragjedia i ndryshoi misionin në Amerikë.

Në vizitën që kishte planifkikuar të festonte për 107 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ai po grumbullon fonde për të ndihmuar të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore. Në Detroit, gazetari i Zërit të Amerikës, bisedoi me futbollistin, i cili ndër të tjera porositi shqiptarët që të jenë po të bashkuar kurdo dhe kudo që ndodhen.

Ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana, e kishte planifikuar ndryshe vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara.

Por pas tërmetit në Shqipëri, qëllimi i vizitës së tij ndryshoi.

“Sigurisht ka pasur anulime të mbrëmjeve, por shoqatat kryesore kanë vazhduar të mbledhin njerëzit me të njëjtin simbol dhe flamur, jo më në formë gëzimi për të festuar, por në formë mbështjeje. Dhe besoj ka qenë mënyra e duhur”, tha Lorik Cana për Zërin e Amerikës.

Të pranishmit në mbrëmjet shqiptare, iu përgjigjen thirrjeve të tij për të ndihmuar financiarisht të prekurit e tërmetit.

“Kemi mbledhur më duket diku rreth 50-60 mijë dollarë, vetëm në mbrëmjen e parë. Dhe ne i kemi inkurajuar njerëzit që të vazhdojnë dhe të japin donacione në këto ditë dhe në javët në vijim aq sa munden”, tha ai.

Futbollisti Cana u bën thirrje të gjithë grumbulluesve të donacioneve, që të kenë shumë kujdes në menaxhimin e tyre.

“Duhet t’ua çojmë amanetin deri në fund sepse në fund të fundit është një detyrë morale, është një detyrë shpirtërore dhe nuk luhet me momente të tilla”.

Ai nuk beson se do të abuzohet me mjetet e grumbulluara, por preferon që të sigurohet se ato do të përfundojnë në duar të nevojtarëve.

“Ne me fondacionin dhe me shoqatat këtu në Amerikë do evidentojmë shtëpi, ose do të evidentojmë shkollë ose kopsht që do të ketë nevojë për rindërtim dhe do t’a bëjmë drejtëpërdrejtë me fondacionin tim”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Lorik Cana Foundation LC5 (@lorik_cana_5_foundation) on