“Udhëtim i gjatë drejt Natës” në TK

Kulturë

Një familje jo funksionale ku varësia nga droga, degradimi moral, frika dhe faji janë rrënjosur thellë. Kjo është vepra e nobelistit dhe dramaturgut të famshëm irlandezo-amerikan Eugene O’Neill e cila vjen si premierë e parë e Teatrit Kombëtar këtë sezon, i cili po vjen drejt mbylljes. “Udhëtim i gjatë drejt Natës” u përzgjodh nga Spiro Duni pasi sipas regjisorit, vepra është “ajkë” e dramaturgjisë amerikane dhe mbi të gjitha i flet realitetit tonë. Yllka Mujo dhe Artan Imani do të kthehen përsëri bashkë në skenë si një çift, pas shumë vitesh që nga koha e “Zbutjes së Kryeneçes”. Vetëm se këtë herë, ata janë dy bashkëshortë që kanë njohur famën dhe rënien. Njeri i varur nga alkooli dhe tjetri i varur nga droga. Drama e fortë mbi shkatërrimin e familjes ngjit në skenë edhe aktorët e rinj, Lulezim Zeqja dhe Genti Deçka si dy djemtë e çiftit. “Udhëtim i Gjatë drejt Natës” nis shfaqjen për publikun nga mbrëmja e 31 Majit.