Sot, 7 Marsi, Dita e Mësuesit

Kulturë

7marsi
7 marsi në Shqipëri festohet si dita e mësuesit, megjithatë ajo nuk është një ditë ndërkombëtarë pasi vende të ndryshme e festojnë ditën e mësuesit në data të ndryshme.

Megjithatë, zyrtarisht dhe në shumicën e shteteve të Botës, Dita Ndërkombëtare e Mësuesit është 5 tetori.

Qëllimi i kësaj dite është të ofrojë mbështetje e inkurajim për mësuesit dhe gjithashtu të sigurojë që nevojat e brezave të ardhshëm të vazhdojnë të plotësohen prej tyre (mësuesve).

Përvjetori i Mësonjëtores dhe Dita e Mësuesit shënojnë një nga elementët kryesorë të Rilindjes, kur përpjekjet e atdhetarëve nën drejtimin e Komitetit Kombëtar sollën çeljen e shkollës së parë të mirëfilltë kombëtare shqipe, të caktuar në qytetin e Korçës më 7 mars 1887.

Në fillim kjo shkollë kishte katër klasa me rreth 35 nxënës, numri i të cilëve pas tre muajsh do të shkonte në 60 dhe në vitin e dytë të saj në 300.

Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle përmendim atdhetarët e njohur: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, Kristaq Vaja etj.

Kjo ditë paraqet një shenjë të rëndësishme të ndërgjegjësimit, të të kuptuarit dhe të vlerësimit që shfaqet për kontributin vital që mësuesit i dhurojnë arsimit e zhvillimit të shoqërisë ndër vite.