Robert Ndrenika kërcënon Kumbaron: Po e shëmbët Teatrin, nuk do tretem në gropë, do shtrihem atje!

Kulturë

oioph

Një deklaratë jo e zakontë është bërë një mbrëmje më parë në një tryezë ku ishin ulur aktori Robert Ndrenika, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku, Erion Veliaj.

Të pranishëm në Teatër Kame, ku po mbahej nata e fundit e Festivalit Ballkanik të Teatrit, për pak minuta këto tri personazhe “të kundërt” për misionet e tyre, kanë përjetuar tension për shkak se aktori Robert Ndrenika ka qenë në pozicionin e tij: aktori që shqetësohet për fatin e teatrit.

Ndrenika pa e zgjatur shumë është shprehur drejtpërdrejti se është hapur fjala që do të transferojnë teatrin, për të ngritur kulla në tokën e tij aktuale.

“Nëse ndodh që godina e teatrit shembet, unë nuk do të tretem në gropë, por do të shtrihem atje”, ka qenë deklarata e ashpër në tavolinë, jo formale e aktorit Robert Ndrenika.

Ndoshta kjo është nga më të ashprat që pas vitit 2000 kur u ngrit e njëjta çështje.

Kumbaro është “detyruar” të ulë pak tensionin. Ndërsa Ndrenika për disa minuta ka treguar se ka shëtitur në të gjithë Ballkanin, në Shkup, Athinë, Bukuresht ku teatrot janë prej 400 vjetësh, ndërsa në Tiranë po bëhen xhami, stadium dhe teatër jo.

Në ironi, Ndrenika ka kujtuar një bisedë me mikun e tij, Loro Kovaçin, kur ishte i ri, se i kishte thënë: “Ju të rinjtë do ta gëzoni teatrin”.

Por me këtë Ndrenika ka thënë se nuk ka arritur ta gëzojë…

Ashtu si Veliaj dhe Kumbaro në këtë bisedë të lirë kanë mundur ta qetësojnë aktorin, ndonëse me frikë të hapur, se do të gjejnë formulën e duhur për ndërtimin e Teatrit. /mapo