Kantautori shqiptar Ermal Meta është kualifikuar në natën finale të festivalit më prestigjioz në Itali, Sanremo. Ai u klasifikua mes emrave të mëdhenj të muzikës italiane si Al Bano dhe Fiorela Manoja.
Por kush është Ermal Meta?
Ai lindi në Shqipëri dhe që prej moshës 13 vjeçare jeton në Bari, Itali me familjen e tij. Karrierën e tij e nisi si kitarist i grupit Ameba 4. Grupi konkuroi në kategorinë e të rinjve në Sanremo të vitit 2006 me këngën “Rido… forse mi sbaglio”.
Në vitin 2009, Meta formoi një tjetër grup, La Fame di Camilla, me të cilët realizoi tre albume. Në 2010, ai mori pjesë përsëri në Sanremo në kategorinë e artistëve të rinj. Përveçse këngëtar, ai është dhe një kantautor mjaft i talentuar. Ermal Meta ka shkruar këngë për emra të njohur të muzikës italiane si Patty Pravo, Marco Mengoni, Emma, Giusy Ferreri etj.
Gjithashtu, ai ka shkruar dy këngë “Tutto si muove” dhe “Volevo perdonarti, almeno” për serialin televiziv Braccialetti rossi.
Këtë vit, ai konkuron për herë të tretë në Sanremo por për herë të parë si solist. Kënga e tij “E ndaluar të vdesësh” konsiderohet si një nga krijimet me tekstin që përcjell mesazhin më të fortë në këtë festival.