Shkëlzen Gashi rezulton një nga 15 lojtarët më të paguar të Major League Soccer në Amerikë. Në bazë të asaj që është zbuluar nga shtypi amerikan, futbollisti i Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi përfiton një shifër që vërtitet tek 1.5 milionë euro në vit. Diçka që e bën atë të renditet në vendin e 14-të të renditjes së futbollistë më të paguar në SHBA. Ndërkohë që përpara tij gjenden kampionë si Andrea Pirlo në vendin e gjashtë, David Vija i shtati, apo Didier Drogba i 13-ti.
Për më tepër, deri tani Gashi figuronte edhe si më i paguari tek skuadra e Colorado Rapids, mirëpo gjërat do të ndryshojnë. Përderisa marrëveshja e arritur nga skuadra amerikane me ish-portierin e Evertonit, Tim Howard, ka bërë që veterani i portës të jetë më i paguari te Colorado me rreth 2.3 milionë euro në vit. Në këtë mënyrë do ta zbresë shqiptarin në vendin e dytë.
Ndërkaq, lojtari më i paguar në kampionatin amerikan rezulton të jetë braziliani Kaka, i cili përfiton mbi 6 milionë euro. Ndërkohë që në “Top 5” përfshihen edhe emra të tillë si ish-fantazisti i Juventusit, Sebastian Xhiovinco, ish-mesfushori i Romës, Michael Bradley dhe dy anglezët legjendarë, Steven Gerrard e Frenk Lampard.