Për pjesën më të madhe të shqiptarëve, Al Bano Carrisi nuk është thjesht një këngëtar Italian: që pas koncertit historik në Tiranën koministe të vitit 1989, ai dhe Romina Power janë konsideruar paksa si “tanët”. Aq sa dhe divorcin e tyre fansat këndej Adriatikut e kanë përjetuar ndoshta po aq rëndë sa dhe tre fëmijët e tyre. Madje shoqata vlonjate që mban emrin e tyre nuk ka dashur t’ja dijë kurrë për divorc: për të këngëtarët kanë qenë bashkë për aq kohë sa dhe këngët e tyre hit janë kënduar nga të dy. Pikërisht kjo shoqatë e sjell këtë fundjavë në Tiranë çiftin e famshëm, në një koncert që pritet të mbahet të shtunën në sheshin “Nënë Tereza” dhe që me siguri do lumturojë shumë nga adhuruesit e muzikës italiane, por dhe ata që kanë përjetuar me shumë emocion koncertin e fundviteve tetëdhjetë që në Shqipëri është bërë historik, pasi ka qenë i pari i tillë në stadium i një këngëtari “perëndimor” në të fundit vend komunsit në Evropë, krejt të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Në atë periudhë çifti Al Bano dhe Romina kanë kënduar dhe në të tjera vende komuniste ku ende kujtohen me nostalgji dhe pikërisht në këto vende kanë rinisur të shfaqen sërish si çift vitet e fundit nëpër skena, pikërisht për shkak të insistimit të fansave. Koncertet që nisën në Rusi kanë patur lejonë në median italiane ndërkohë që Al Bano Carrisi ishte i martuar me Loredana Lecisso-n, nga lidhja me të cilën lindën dhe dy fëmijë. Pas shfaqjes në San Remo vitin e shkuar dhe për publikun italian (e para herë që këndonin bashkë në skenën italiane që pas divorcit), Leciso komentoi që nuk ishte aspak xheloze, sepse me Rominën ishte vetëm një bashkëpunim në skenë… Mirëpo në fillim të shtatorit, në dasmën e vajzës së madhe Cristel Carrisi, Loredana ka munguar, ndërsa Albano dhe Romina i kanë mallëngjyer të pranishmit me këngën “Felicita”, aq sa të flitet që tashmë ata nuk janë çift vetëm në skenë por dhe në jetën reale. Të jetë e vërtetë? Do presim deri të premten për ta zbuluar, ditën kur këngëtarët e famshëm do jenë në Tiranë dhe ne të Living do jemi me ta si media partner.