Eneda Tarifa dhe këngëtaret e dyta, kanë përfunduar provën e parë të performancës në skenën e Stokholmit. Eneda ishte shumë e saktë dhe zëri i saj ishte në gjendje të shkëlqyer, por ajo që ka lënë shumë ër të dëshiruar ka qenë skenografia dhe performance e dobët skenike.
Blogerët e Wiwibloggs, sajtit më të madh dedikuar Eurosong-ut, realizuan një video ku janë shprehur të zhgënjyer nga prezantimi i Enedës. Sipas tyre, performanca vokale e këngëtares shqiptare ishte aq e mirë, sa zor se mund të dallohej nga versioni MP3 i ‘Fairytale’, por Eneda qëndronte krejtësisht e vetme në skenë dhe e vetmja gjë që ndryshonin ishin dritat, që ktheheshin herë blu e herë jeshile.
‘Duket sikur producentët e saj e kanë braktisur’, shprehet William, ‘sepse ajo thjesht qëndron në mes të skenës duke kënduar’. Sipas tyre, një këngëtare si Eneda meriton një këngë më të mirë, sepse zëri i saj është në formë të shkëlqyer, por performanca është akoma më e mangët se videoklipi.
Ata theksojnë se Eurovision-i i këtij viti do të fokusohet veçanërisht tek performance vizuale e artistëve dhe Shqipëria është prezantuar me performancën më të varfër.
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)