Instituti Italian i Kulturës dhe EJAlbum do të paraqesin përfundimin e projektit “Imago Mundi” në Shqipëri.
Ky është një projekt i Fondacionit “Benetton Studime dhe Kërkime” i zbatuar në Shqipëri nga EJAlbum me pjesëmarrjen e 163 artistëve më të mirë bashkëkohorë shqiptarë.
Prezantimi i koleksionit shqiptar, shpërndarja e katalogëve artistëve të pranishëm, takimi me kuratorët e projektit dhe me Luciano Benetton, një nga ambasadorët më të rëndësishme të ekonomisë dhe kulturës italiane në botë si dhe themeluesi i projektit “Imago Mundi” do të organizohet nesër në orën 17:00 në Sallën e Koncerteve te Universiteti i Arteve në Tiranë. Hyrja do të jetë e lirë.
Në vijim të një procesi të gjatë, që zgjati më shumë se një vit, Shqipëria prezantohet në skenën e artit bashkëkohor botëror me një botim të cilësisë së lartë të 163 artistëve të saj më të mirë dhe me një koleksion të po aq veprave artistike.Përmbledhja e veprave, nën kujdesin e “Fondacionit Benetton Studime dhe Kërkime”, nuk ka qëllime komerciale, por vetëm një qëllim, pra të bashkojë diversitetin e botës në emër të përvojës artistike të përbashkët.
Imago Mundi synon të katalogojë vepra, frymëzimin dhe idetë në mënyrë që brezat e ardhshëm të trashëgojnë një hartë sa më të plotë të jetë e mundur të gjendjes së kulturës në fillimin e mijëvjeçarit të tretë.Ambicia sociale e projektit është promovimi i njohjes dhe ndërgjegjësimit të artit dhe nëpërmjet artit të botës.
Koleksionet e panumërta do të ekspozohen në një turne pa kufi në mënyrë që të admirohen nga një audiencë më e gjerë. Projekti IMAGO MUNDI, gjithnjë e më shumë përfshirës, është në zgjerim të vazhdueshëm, në të kanë marrë pjesë tashmë pothuajse 100 vende të botës, me një total prej rreth 15.000 veprash arti.Volumi në tre gjuhë (anglisht, shqip, italisht) “Albania / Knots. 163 Contemporary Artists from Albania”, është kuruar nga Elton Koritari, Valentina Granzotto, Albes Fusha dhe Alban Hajdinaj.