5 super destinacione turistike në Europë që duhet t’i vizitojmë patjetër!

Kulturë

Kur vjen puna tek pushimet, është e pashmangshme të mos përfshihesh në vorbullën e pafundme e kaotike të paketave turistike të reklamuara nga agjencitë turistike në përpjekje për të vendosur një destinacion që të përshtatet. Ne ju sugjerojmë 5 destinacione fantastike të cilat gjithësecili prej nesh duhet të vizitojë të paktën një herë në jetë për eksperienca pushimesh që nuk do t’i harroni gjithë jetën.

Lisbona

Nëse ke sadopak pasion për kulturën, arkitekturën, e ushqimin e mirë, atëherë Lisbona, është vendi i duhur për ty këtë verë. Kryeqyteti portugez është thjesht unik! Në një kombinim perfekt mes të vjetrës e të resë, qetësisë e gjallërisë, Lisbona është një qytet që ka për t’i ofruar gjithçka vizitorëve të saj. Mund të eksplorosh një librari të 1700-ës e të shijosh një drekë të shijshme mesdhetare në një restorant super modern vetëm pak hapa më tej. Lisbona me historinë e saj të pasur, shquhet për arkitekturën e infastrukturën që është e pamundur të mos surprizojë këdo që e sheh për herë të parë.

Mikonos

Nëse kohët e fundit në rrjetet sociale keni parë gjithnjë e më shumë video mbresëlënëse nga Mikonos e veçanërisht nga personazhe të famshëm shqiptarë e të huaj, ka një arsye: Është parajsë! Jo vetëm për plazhet mbresëlënëse, por edhe për akomodimet super luksoze si në resortet e famshme në të gjithë botën, ashtu edhe në vilat private që të ofrojnë intimitet të plotë. Mikonos është kudo në listat e destinacioneve më ekskluzive të pushimeve dhe s’kishte si të ishte ndryshe, për sa kohë përzgjidhet thuajse çdo vit nga yje si Leonardo DiCaprio, Kendall Jenner e Bella Hadid .

Sardinia

Nëse plazhet magjepsëse të smeraldta dhe rëra rozë me famë botërore nuk janë mjaftueshëm për t’ju bindur se Sardenja është një parajsë mbi tokë, atëherë bëhuni gati sepse ka edhe më. Në Sardenjë gjenden disa prej resorteve më luksoze dhe më ekskluzive të të gjithë Mesdheut që ofrojnë dhe krahas relaksit total dhe një jetë nate tërësisht të çmendur. Natyra mbresëlënëse që në shumë pjesë të ishullit është ende e virgjër është një nga atraksionet më të rëndësishme të destinacionit që vizitohet gjerësisht nga personazhe VIP të njohur ndërkombëtarisht.

Napoli

Vetëm se kushdo që viziton Napolin, duhet të dijë rregullin e artë: Në këtë qytet fjala “dietë” është thuajse një blasfemi! Dhe kjo është e kuptueshme duke qenë se bëhet fjalë për vendin origjinë të pizza-ve. Në Napoli do të bëni be se keni provuar pizza-n më të mirë të jetës suaj dhe kushdo e ka të pamundur të mos joshet nga ëmbëlsirat tipike kremoze apo pastat e gatuara në tratoritë që ruajnë me fanatizëm traditat kulinare të gjysheve duararta italiane. Kështu, pasi t’i kesh rënë kryq e tërthor rrugicave napoletane, s’duhet të largoheni pa bërë edhe një vizitë në perlat e tjera që ndodhen fare pranë: Amalfi, Positano dhe në Capri-n magjik.

Santorini

Keni thënë ndonjëherë “Duket të shkoj një herë në Santorini” pasi keni parë pamjet prej kartoline të ishullit të famshëm grek? Epo kjo verë është e duhura! Përfytyrojeni veten të përhumbur mes rrugicave piktoreske apo në ndonjë prej vilave me pishina spektakolare në ishullin që ofron perëndimin më magjik në botë. Qoftë për t’u larë në ujrat e kristalta të detit Egje, për të provuar verën e famshme nga disa prej vreshtave më të vjetër në botë apo për të shijuar peisazhin magjepsës, Santorini është gjithnjë një destinacion i duhur, i konsideruar si më i veçanti ndër të gjithë ishujt grekë. Dhe një sekret i vogël… Santorini është parajsa e të apasionuarve pas shopping-ut.