17 persona kanë humbur jetën në Kinë dhe 600 të tjerë konfirmohen si të infektuar nga virusi në Wuhan.
Kina është detyruar të izolojë qytetin që prej ditës së sotme në mënyrë që të parandalojë përhapjen e mëtejshme të virusit.
Transporti publik është mbyllur dhe autoritetet i bëjnë thirrje njerëzve që të paktën për 1 javë të mos lëvizin nga shtëpitë e tyre.
Ky lloj virusi shkakton sëmundje të rëndë në mushkëri duke shkaktuar edhe vdekjen e njerëzve. Simptomat e para janë të ngjashme me atë të një të ftohti të lehtë (rrufë, probleme me frymëmarrjen), por i çon të infektuarit gjer në vdekje. Ndonëse fillimisht shkencëtarët mendonin se ai mund të transmetohej vetëm nga kafshët tek njeriu, Kina konfirmoi se virusi mund të përhapet nga njeriu tek njeriu.
Organizata Botërore e Shëndetit do të mbajë sot një takim ku do të vendosin nëse përhapja e virusit të Wuhan-it përbën “kërcënim emergjent në nivel ndërkombëtar për shëndetin publik” ose jo.
Përveç Kinsë, SHB-ja konfirmoi rastin e parë në territorin e tyre. Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve pohoi se virusi me origjinë nga Kina, është zbuluar tek një shtetas amerikan që mbërriti në Seattle nga Kina.