Vitin e shkuar provimet e maturës shtetërore u hartuan vetëm me pyetje me alternativa, për t’ju lehtësuar studentëve të ardhshëm situatën e vështirë me të cilën u përballën. Ndërkohë që këtë vit është menduar që tezat e maturës t’i rikthehen skemës së vjetër, duke përfshirë pyetje me alternativa dhe me zhvillim. Pavarësisht se ministrja e Arsimit Evis Kushi e pranon dhe vetë që mësimi online nuk ka qenë shumë i efektshëm për nxënësit, këtë vit do të ndryshojë mënyra e hartimit të tezave.
Në një intervistë, ministrja zbuloi disa detaje në lidhje me provimet e maturës.
“Maturantët janë në një moment kritik për të ardhmen e tyre. Sa i takon maturës shtetërore. Komiteti i Maturës Shtetërore ka hartuar rregullore që është publikuar në faqen e ministrisë. Në këtë vit kemi disa risi, ndryshe nga viti i kaluar. P.sh kemi përfshirë edhe pyetjet, që kërkojnë zhvillim në përgjigje. Pas diskutimeve dhe konsultimeve edhe me maturantët, vendosëm që të kemi pyetje me zhvillim dhe me alternativa.
Pyetjet janë 20 me alternativa dhe 40 janë pyetje me zhvillim. Pragu i kalueshmërisë është 25 %. Po punojmë që edhe rezultatet e provimeve të shpallen në një kohë të shpejtë, duke marrë në konsideratë që një pjesë e maturantëve duan të studiojnë jashtë vendit. Brenda 5 korrikut, maturantët do t’i kenë diplomat e tyre, ndërkohë që brenda 30 qershorit do jenë të shpallura rezultatet”, deklaroi ministrja Kushi.