Nëse deri para pak javësh shqetësimi i vetëm i familjes mbretërore ishte largimi i princit Harry dhe Meghan Markle, sot ata, sikundër kushdo në botë, gjenden përballë një armiku të ri: Coronavirusi. Një punonjës në Pallatin Buckingham ka rezultuar pozitiv, gjatë kohës që mbretëresha Elizabeth II po qëndronte në të njëjtën godinë si ai. Pjesëtari i stafit shfaqi simptomat e para para një jave, në një kohë kur mbretëresha nuk ishte larguar ende nga Londra.
Kjo gjë ka shtuar shqetësimin se 93-vjeçarja mund të jetë e infektuar, megjithatë asnjë nuk është konfirmuar apo mohuar asgjë nga ana e zyrës së shtypit. “Pallati ka 500 punonjës. Sapo përgjigja e tij doli pozitive, ai u izolua. Por nuk dihet se sa e afërt marrëdhënia e tij me mbretëreshën gjatë kohës që ai ishte infektuar. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë infektuar edhe të tjerë,”-tha një burim brenda Pallatit.
Ndërkohë mbretëresha është zhvendosur nga Londra, në një tjetër kështjellë. Sipas mediave vendase, ajo është në komunikim të vazhdueshëm me familjen e tij, duke përdorur aplikacione si Facetime apo dhe Skype.
Pandemia e Coronavirusit ka marrë më shumë se 14 mijë jetë në të gjithë botën dhe ka infektuar 330 mijë të tjerë. Pas Kinës, e cila çdo ditë numëron më pak raste, “E GJUNJËZUAR” është Italia me mijëra të vdekur. Pas Italisë, vdekshmëria e të infektuarve po rritet frikshëm edhe në Britaninë e Madhe dhe në Amerikë, ku janë shënuar qindra të vdekur.