Albi Albino është një djalë shqiptar që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve në Itali. Ai është kamarier në hotelin “Bel Sit” në Alassio që është kthyer në një karantinë pasi një kliente 72-vjeçare rezultoi pozitive me koronavirus. Albi ka ndihmuar dhe shërbyer për të moshuarit që ndodheshin në këtë hotel të shpallur pozitivë me koronavirus. Angazhimi dhe bujaria e këtij shqiptari ka tërhequr edhe vëmendjen e kreut të Rajonit të Ligurias Giovanni Toti, ku i ka kushtuar edhe një postim në Facebook. Ai e ka falenderuar për punën që ka bërë.
Mëngjesin e sotëm Albi në një lidhje “Skype” në një emisionin, ka folur më gjatë për eksperiencën e tij në këtë karantinë.
“Unë punoj prej vitesh në këtë hotel dhe ditën e martë na ka ardhur komunikimi që një nga klientët që ndodhet në hotel është pozitiv me koronavirus. Që nga ai moment prej një javësh jemi të mbyllur këtu në hotel, ku asnjë prej nesh nuk mund të dalë dot. Në këto momente kemi ngelur vetëm ne puntorët ndërsa të gjithë klientët janë nisur nëpër shtëpitë e tyre. Dy ditët e para ka qenë një tmerr. Kur na thanë që askush nuk duhet të dalë nga hoteli na erdhi një ankth shumë i madh sepse shumica ishin në moshën mbi 70-vjeç. Gjëja e parë që mendova ishte t’i vija në ndihmë personave që ndodheshin këtu dhe bashkë me vëllain tim që punon këtu edhe me kolegët e tjerë edhe pse kur erdhi njoftimi ne nuk ishim punëtorë, por si të gjithë të tjerët që duhet të rrinin nëpër dhomat e tyre. Unë nuk e mora me frikë, nuk mendova asgjë, doja vetëm t’i ndihmoja ata që të ndiheshin mirë sikur nuk kishte ndodhur asgjë.”