ENRY KISSINGER, Ish-Sekretari i Shtetit në SHBA, ka paralajmëruar se koronavirusi mund të shkaktojë një shkatërrim ekonomik global, që mund të zgjasë për disa breza nëse nuk merren masat e duhura.
Kissinger, i cili shërbeu pas Presidentit Nixon dhe Presidentin Ford, publikoi një shkrim në “Ëall Street Journal” të premten, ku deklaroi se “dështimi mund t’i vërë në zjarrin botën”.
96-vjeçari beson se Shtëpia e Bardhë ka bërë ‘një punë të qëndrueshme për të shmangur katastrofën e menjëhershme’, por shton se qeveria duhet të punojë me efikasitet dhe në një mënyrë largpamëse për të mposhtur sëmundjen, jo vetëm për të rimarrë besimin e amerikanëve, por besimin në botë.
Kissinger shkruan: “Kur të mbarojë pandemia e Covid-19, institucionet e shumë vendeve do të perceptohen si të dështuara. Nëse ky gjykim është objektivisht i drejtë apo jo, kjo është e parëndësishme. Realiteti është se bota nuk do të jetë kurrë e njëjta pas koronavirusit”.
Ai thotë se SHBA-të duhet të punojnë shpejt për të gjetur një kurë, një hap për të rindërtuar ekonominë globale dhe për të mbrojtur “rendin botëror liberal”, duke shtuar se “madje, as SHBA nuk mundet me një përpjekje thjesht kombëtare të kapërcejë virusin”.
Kissinger pranon të metat, duke shkruar: “Pajisjet mjekësore nuk janë të mjaftueshme për të përballuar valët e zgjeruara të rasteve. Njësitë e kujdesit intensiv janë në prag të mbingarkimit.
Testimi është i papërshtatshëm për detyrën e identifikimit të shtrirjes së infeksionit, për të frenuar përhapjen e tij. Një vaksinë e suksesshme mund të jetë 12-18 muaj larg”.
Për të mposhtur virusin, Kissinger shkruan se SHBA duhet të punojë me pjesën tjetër të botës, pasi “nevojat e momentit duhet të shoqërohen përfundimisht me një vizion dhe program global bashkëpunues”.
Ai ofron tre hapa që SHBA duhet të ndërmarrë në mënyrë që të punojë drejt mundjes së koronavirusit dhe më pas stabilizimit të ekonomisë, i pari është gjetja e një kure ose trajtimi për virusin.
Kissinger shkruan: “Ne duhet të zhvillojmë teknika dhe teknologji të reja për kontrollin e infeksionit dhe vaksinat në përpjesëtim me popullatën e madhe. Qytetet, shtetet dhe rajonet duhet të përgatiten në mënyrë të vazhdueshme për të mbrojtur njerëzit e tyre nga pandemitë përmes depozitimit, planifikimit bashkëpunues dhe eksplorimit në kufijtë e shkencës”.
Hapi tjetër është “shërimi i plagëve në ekonominë botërore”.
Ai tregon për krizën financiare të vitit 2008, duke thënë se kushtet e tanishme janë edhe më komplekse, për shkak të shkallës globale të virusit, mbylljes së shkollave, mbylljes së restoranteve dhe praktikave të distancës sociale.
Kissinger shkruan se duhet të hartohen programe speciale për të ndihmuar në rregullimin e dëmtimit të atyre që preken më shumë nga mbyllja.
Së fundmi, Kissinger shkruan mbi parimet e rendit liberal botëror që duhen mbrojtur, duke theksuar se një qeveri me mendje të ndriçuar beson se duhet të garantojë “siguri, rregull, mirëqenie ekonomike dhe drejtësi”.
“Pandemia ka shkaktuar një anakronizëm, një ringjallje të qytetit me mure në një epokë kur prosperiteti varet nga tregtia globale dhe lëvizja e njerëzve. Demokracitë e botës kanë nevojë për të mbrojtur dhe mbajtur vlerat e tyre të iluminizmit. Një tërheqje globale nga ekuilibri i pushtetit me legjitimitetin do të bëjë që kontrata sociale të shpërbëhet brenda vendit dhe në botë”.
Kush është Kissinger
Kissinger u arratis me prindërit e tij nga Gjermania naziste në 1938 dhe u zhvendos në Nju Jork. Pasi u diplomua në Harvard me një diplomë të Shkencave Politike në 1950, ai filloi të punojë si këshilltar për këshilla të ndryshme dhe agjenci qeveritare, përfshirë Zyrën e Kërkimit të Operacioneve, Agjencinë e Kontrollit dhe Armatosjes dhe Departamentin e Shtetit.
Në vitet 1960, ai punoi për fushatën e kandidatit presidencial republikan Nelson Rockefeller si këshilltar i tij i politikës së jashtme, por kaloi në kampin e Richard Nixon pasi ai fitoi nominimin në 1968.
Kur Nixon fitoi, ai e bëri Kissinger këshilltarin e tij të Sigurisë Kombëtare dhe më vonë Sekretarin e tij të Shtetit. Ai e vazhdoi detyrën edhe kur Gerald Ford u bë President.
Kissinger fitoi Çmimin Nobel për Paqen në 1973 së bashku me Le Duc të Vietnamit të Veriut për përpjekjet e tyre për të negociuar një zgjidhje paqësore të Luftës së Vietnamit.