Komisioni i Ligjeve ka miratuar kërkesën e qeverisë për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur për shkak të pandemisë së koronavirusit deri më 23 Qershor. Projektvendimin e qeverisë në mbledhjen e zhvilluar online, Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj e vlerësoi si të rëndësishëm për të kontrolluar përhapjen e Covid-19.
Për Zv/Ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli shtyra e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është domosdoshmëri, pasi pas lehtësimit të masave të lëvizjes dhe hapjes së bizneseve mund të krijohen kushte për rritjen e numrit të të prekurve.
Gjendje e fatkeqësisë natyrore u shpall nga qeveria më 24 Mars për një muaj. Përcaktimi kushtetues e detyron qeverinë që në rast të shtyrjes së kësaj gjendje përtej 30 ditëve, vendimi duhet të miratohet nga parlamenti. Seanca e radhës së Kuvendit është të enjten e 23 Prillit dhe do të zhvillohet me të njëjtat masa sigurie si seanca plenare e javës së shkuar.