Edhe pse nuk ka një përgjigje të qartë se kur do t’i vijë fundi izolimit në vendin tonë, kjo nuk e ka ndaluar Ministrinë e Arsimit të bëjë plane për rikthimin në shkollë, kurdo që të vendoset. Ekspertët e MAS kanë gati skenarët, se çfarë do të bëhet me nxënësit, që nga përsëritja e dijeve në orët e para të riuljes në banka e deri tek vlerësimi final që do të bëhet në formë të reduktuar.
Në një intervistë, drejtoresha e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Zamira Gjini zbulon planet dhe udhëzimet e posaçme që do të nxjerrë Ministria, varësisht nga data e rikthimit në shkolla. Anulimi i provimeve kombëtare, ashtu siç kanë vendosur disa vende të tjera, për ministrinë, mbetet opsioni i fundit, por nuk përjashtohet mundësia e shtyrjes në rast se periudha e qëndrimit në shtëpi zgjatet përtej çdo parashikueshmërie.
“Zhvillimi i provimeve kombëtare është një çështje e veçantë. Në kushtet aktuale, mendojmë që zhvillimi i provimeve nuk duket se do të pengohet, ndërsa anullimi mbetet opsioni më i fundit për t’u konsideruar. Sidoqoftë, duhet të flasim sipas ndryshimeve të situatës, e cila nuk varet nga ne. Provimi i parë i Maturës është në datën 8 qershor. Pra, kemi gati edhe dy muaj deri atëherë. Nëse situata do të përmirësohet, provimet e Maturës do të zhvillohen në qershor dhe diplomat do të merren në korrik, sipas planifikimit të mëhershëm. Sigurisht, do të ndryshojnë disa kushte mbi mënyrën e organizimit dhe administrimit të provimeve. Kjo do të ishte më e mira. Por nëse do të vijojmë të qëndrojmë në shtëpi, do të kemi një skenar të ri.
E rëndësishme është që nxënësit e klasave të nënta dhe maturantët të jenë të qetë dhe të vijojnë të mësojnë sikurse edhe nxënësit e tjerë, nëpërmjet formave dhe metodave që mësuesit e tyre po ndajnë me ta, si dhe mësimeve në RTSH. Ata të punojnë sipas programeve orientuese dhe të ndjekin orientimet e mësuesve për të punuar me temat kryesore të provimeve.
Maturantët të punojnë me broshurat që ka vënë në dispozicion QSHA, pasi përmes tyre ata do të familjarizohen me natyrën e testeve dhe të pyetjeve që do përdoren në testet e provimeve si dhe do të njihen me modele testesh të viteve të kaluara. Maturantët të kenë parasysh që, në testet që do të hartojë QSHA për provimet e këtij viti, nuk do të përfshihen pyetje që lidhen me temat mësimore, pjesë e programeve që janë trajtuar gjatë kohës së mësimit në kushtet e shtëpisë.”-rrëfeu ajo.