Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për nxitjen e investimeve

Ekonomi

dgdg.jpg

Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar një tjetër marrëveshje dypalëshe dhe kësaj here marrëveshja ka të bëjë me nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.
Kjo marrëveshje është nënshkruar mes dy ministrive të tregtisë dhe Industrisë dhe synon rregullimin, mbrojtjen dhe promovimin e nxitjen e investimeve direkte në dy vendet.

Kjo marrëveshje është nënshkruar pasi qeveria shqiptare ka në fokus të saj nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me Kosovën dhe në kuadrin e këtij objektivi delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, gjatë një vizite zyrtare në Tiranë me ministren e Zhvillimit Ekonomik Milva Ekonomi dhe nënshkruan marrëveshjen.

Në zbatim të ligjit shqiptar për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, Marrëveshja e nënshkruar u negociua nga ekipet teknike të të dy vendeve dhe u miratua në parim nga qeveritë respektive të dy vendeve.

“Marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve” synon të rregullojë mbrojtjen, promovimin dhe nxitjen e investimeve direkte në Shqipëri dhe në Kosovë.

Marrëveshja u jep investitorëve të secilit vend, siguri dhe garanci që investimet e tyre do të mbrohen dhe do të trajtohen në mënyrë të drejtë, në pajtim të plotë me sundimin e ligjit, me standardet dhe praktikat e pranuara ndërkombëtare.

Marrëveshja do të hyjë në fuqi kur palët do të njoftojnë njëra-tjetrën mbi përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore për hyrjen në fuqi të marrëveshjes ndërkombëtare nga të dyja vendet. Kjo Marrëveshje nuk do të cënojë të drejtat dhe detyrimet e Marrëveshjeve të tjera në fuqi, të lidhura nga Republika e Shqipërisë ose Republika e Kosovës me palët e treta si dhe të drejtat dhe detyrimet që lindin nga anëtarësimi i të dy shteteve në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Me nxitjen dhe inkurajimin e investimeve reciproke mes vendeve tona, kjo marrëveshje synon që të ndihmojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendeve. Ministrja Ekonomi në takim vlerësoi rritjen e investimeve direkte nga Kosovanë Shqipëri dhe rritjen e volumit tregtar mes vendeve për vitin 2015.Të dy ministrat diskutuan gjithashtu edhe ecurinë për zbatimin e marrëveshjes për lehtësimin e tregtisë në përputhje me fushat e parashikuara në protokollin zbatues dhe u angazhuan të shpeshtojnë kontaktet me qëllim realizmin e angazhimeve përkatëse.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)