Qeveria përfundoi hartimin e strategjisë për tarifimin e rrugëve, ku janë të përcaktuara tarifat që do të paguhen nga automjetet.
Sipas draftit të hartuar nga Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim, me kërkesë të Qeverisë, janë rekomanduar për t’u taksuar 9 kategori automjetesh.
Në draftin e strategjisë, në rast miratimi, rekomandohet që norma bazë e taksës së kalimit në rrugë për veturat të variojë nga 0,5 cent deri në 3,5 cent për kilometër, kurse për motoçikletat 0,5 cent për kilometër.
Në tarifim janë përfshirë edhe furgonët, norma e tarifimit për ta është përcaktuar 1,5 cent për kilometër, kurse për autobusët 2 deri në 3 cent për kilometër dhe për kamionët 4 cent për kilometër.
Në rast se tarifat e rekomanduara miratohen nga Qeveria, për një rrugë ku kalimi do të jetë me pagesë, për 100 km një veturë do të paguajë 3,5 euro. Në strategji mbetet e papërcaktuar nëse tarifat do të jenë për rrugë individuale apo do të vendosen njëlloj për të gjithë rrjetin.
Për Shqipërinë, në strategjinë që ka hartuar BERZHi, rekomandohet që “Përdorimi i normave uniforme tarifore lejon ndërsubvencionimin për rrugët më pak fitimprurëse, nga ato me të ardhura më fitimprurëse”, thuhet në draftin e strategjisë.
Në draft ngrihet shqetësimi i tarifave për shtetasit e huaj, ku rekomandohet që ato të zbatohen të njëjta si për vendësit.
“Normat e tarifave duhet të jenë uniforme dhe jo të ndryshojnë për trafikun e huaj dhe vendës. Strategjia shqiptare e tarifimit të rrugëve dekurajon çdo skemë proteksioniste që bën të huajt të paguajnë më shumë se vendësit. Skema do të ishte në kundërshtim me rregullat e BEsë, dhe ka të ngjarë të bëjnë më shumë dëm ekonomik, sesa përfitim”,- thuhet në draft.
Në draft sugjerohet që të tarifohen 9 rrugë, ku për zbatim të menjëhershëm rekomandohet Tiranë-Durrës, Milot -Morinë, Tiranë- Elbasan dhe Rruga e Arbrit, që ende s’ka përfunduar. Hartuesit e draftit paraqesin dy opsione për mënyrën e implementimit të sistemit të tarifimit.
Sistem i mbyllur, ku sheshet e pagesave të jenë në çdo hyrje dhe dalje të autostradës, çka siguron që të gjithë shoferët të paguajnë sipas distancës të udhëtimit.
Opsioni i dytë është sistemi i hapur, që ofron sheshe tarifore në intervale përgjatë shtrirjes kryesore të autostradës, shkruan Panorama. Në strategjinë për vendin tonë rekomandohet skema e hapur për pagimin e tarifave.
“Një skemë e tillë do të minimizojë numrin e nevojshëm të pikave të kontrollit dhe zbulimit të automjeteve dhe do të kontribuojë në uljen e kostove të ndërtimit dhe operimit”,thuhet në draftin e tarifimit të rrugëve.